Mesfushori Granit Xhaka po vazhdon të lërë gjurmë të thella në aventurën e tij te Sunderland, me francezin Enzo Le Fee që e ka cilësuar ish-lojtarin e Arsenalit si “kapitenin më të mirë që kam pasur ndonjëherë në jetën time”.
Le Fee, një nga 15 afrimet e verës te Sunderland pas inkuadrimit në Ligën Premier, ka zbuluar se prezenca e Xhakës ka ndryshuar ndjeshëm atmosferën dhe mentalitetin brenda skuadrës.
Në një intervistë për “Stadium Astro”, mesfushori u shpreh pa hezitim.
“Do të thosha Granit Xhaka. Për mua, është kapiteni më i mirë që kam pasur ndonjëherë në karrierë. Është një lojtar fantastik, por edhe një njeri i madh. Ai kujdeset për të gjithë, përpiqet të krijojë ambientin më të mirë të mundshëm dhe ka ndryshuar shumë gjëra këtu në Sunderland”.
Granit Xhaka dhe Enzo Le Fee
Xhaka, që ishte ndër afrimet më të mëdha të klubit gjatë verës, është tashmë një figurë qendrore në projektin e Sunderlandit. Ai madje është nominuar për çmimin Lojtari i Muajit në shtator dhe është krahasuar nga disa analistë me Kevin De Bruyne, falë nivelit të lartë të paraqitjeve që ka dhënë në kampionatin anglez.



























