Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama sot në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova foli në lidhje me memorialin “Adem Jashari”, për të cilin tha se nuk e kanë pasur miratimin e familjes për asnjë nga projektet e prezantuara.
Ai tha se tani është rishpallur konkursi ndërkombëtar si dhe është caktuar edhe lokacioni.
“Ne faktikisht e kemi pasur konkursin ndërkombëtar, kemi pasur një numër të madh të projekteve të cilat janë prezantuar”.
“Gjashtë prej tyre i kemi pasur finale, normal në konsultim edhe me familjen Jashari ne kemi vendosur, nuk ka qenë asnjëri prej gjashtë projekteve i nivelit të cilin familja Jashari e ka marrë si të pranueshëm dhe për këtë arsye kemi vendosur që ta rishpallim”.
“Tani e kemi rishpallur dhe së bashku me familjen Jashari edhe kemi vendosur pozicionimin. Nëpër këtë proces kemi shkuar po them dhe i kemi shikuar të gjitha projektet, nuk e kemi pasur miratimin e familjes Jashari për projektet që janë prezantuar dhe kemi vendosur së bashku me familjen Jashari që edhe njëherë ta hapim konkursin ndërkombëtar dhe këtë e kemi hapur tash, e kemi edhe lokacionin e caktuar”, u shpreh Rama.


























