Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV), duke u bazuar në raportin e fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Raportin e Komisionit Evropian të datës 28.10.2025, ka njoftuar se në Gjermani është konfirmuar prania e sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), serotip me patogjenitet të lartë HPAI – H5N1, në disa ferma të shpezëve.
Kështu, AUV njofton se në përputhje me dispozitat përkatëse të legjislacionit në fuqi dhe në zbatim të masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, është ndaluar importi i shpezëve të gjalla dhe i produkteve të tyre si, mish, vezë dhe nënproduktet e tjera, që kanë origjinën nga i gjithë territori i shtetit të Gjermanisë.
“Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga AUV”, tha ky institucion.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë deklaroi se do të vazhdojë të monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje.

























