Arsene Wenger ka deklaruar se Florian Wirtz ka “shkatërruar” mesfushën kampione të Liverpoolit, ndërsa legjenda e Arsenalit ka fajësuar transferimin prej 116 milionë eurosh për vështirësitë e “Të Kuqve” në këtë sezon.
Ish-trajneri sugjeroi se klubi ka bërë çdo përpjekje për të plotësuar kërkesat e lojtarit gjatë transferimit dhe që prej asaj kohe po vuan pasojat.
Sipas Wenger, problemi filloi me gatishmërinë e Liverpoolit për t’i dhënë Wirtzit rolin e tij të preferuar që ai kishte kërkuar si kusht për t’u transferuar.
Duke folur për beIN SPORTS përpara fitores së Liverpoolit ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve, Wenger dha një vlerësim të ashpër për fillimin e vështirë të sezonit nga skuadra e Arne Slot, duke fajësuar drejtpërdrejt blerjen e re prej 116 milionë eurosh.
“Liverpool është një shembull interesant. Kur Wirtz kishte zgjedhjen mes Bayern Munich dhe Liverpool, ai i tha Liverpoolit: ‘Do vij tek ju vetëm nëse luaj si numri 10. Nuk dua të luaj në krah’. Liverpool, për ta marrë, tha ‘Në rregull’”.
“Ata e nisën me të dhe shkatërruan mesfushën e tyre – që ishte (Ryan) Gravenberch, (Alexis) Mac Allister, (Dominik) Szoboszlai. Për t’i bërë vend Wirtzit, e hoqën Szoboszlain”, ka thënë Wenger.
Pas një serie rezultatesh të dobëta, trajneri Slot mori më në fund vendimin e guximshëm për t’u kthyer te treshja e mesfushës së sezonit të kaluar dhe përmbysja ishte e menjëhershme.
Kundër Aston Villas, Gravenberch shënoi në fitoren 2-0, ndërsa Mac Allister rigjeti formën e tij në një rol më të thellë.
























