Qeveria e cila drejtohet nga Albin Kurti dje mori vendim që, secili fëmijë nën moshën 2 vjeçare të përfitoj nga 20 euro në muaj.
Shtesa do të ketë edhe për fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Vendimi, siç është thënë në arsyetim, do të nis të implimentohet gradualisht, fillimisht për moshat nën 2 vjeç e më pastaj edhe për moshat nën 16 vjeç.
“Në programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025, në pikën 2.1.2 Mbrojtja sociale, parashihet skema për shtesat e fëmijëve, ku fëmijët nën moshën 2 vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove në muaj”, thuhet në vendim.
“Ndërsa fëmijët nën moshën 16 vjeçare, do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 10 euro në muaj”, vijon arsyetimi në vendimin e datës 25 gusht.
Nga ky vendim do të përfitojnë edhe lehonat e punësuara, për siç është thënë “forcimin e pozitës së grave në tregun e punës”.
“Lehonat e punësuara krahas kompensimit për pushimin e lehonisë të paguar nga Qeveria, do të përfitojnë edhe nga kjo masë, sipas kritereve të përcaktuara nga MFPT”, thuhet në vendimin të cilin e ka nënshkruar Albin Kurti.
Ekzekutivi kosovar për implementimin e masës 3.5, Pagesa për Lehonat dhe Shtesat për Fëmijë, ndau plotë 7 milionë euro nga buxheti i vendit.