Festivali FOTOIST – International Photography Festival – e kujton me respekt të thellë dhe mirënjohje Paul Lowe, mikun, fotografín, edukatorin dhe kryetarin e bordit, i cili la një gjurmë të pashlyeshme në punën dhe jetët tona.

Paul ishte fotograf i një vizioni të rrallë moral. Nga rënia e Murit të Berlinit deri te rrethimi i zgjatur i Sarajevës, ai nuk ishte thjesht kronist i historisë – ai ishte dëshmitar i humanitetit në momentet e tij më ekstreme. Fotografia e tij e famshme e një fëmije duke luajtur pranë një barriere tankesh në Sarajevë mbetet një dëshmi e fuqishme e mënyrës se si jeta gjen rrugë edhe mes rrënojave.

Por kontributi i Paul Lowe nuk kufizohej vetëm në fotoreporterizëm. Si edukator dhe mentor, në London College of Communication dhe institucione të tjera, ai mbrojti idenë se fotografia nuk është vetëm një pasqyrë e botës, por një lente për ta sfiduar atë – etikisht, politikisht dhe personalisht. Brenda komunitetit tonë të festivalit, ai na udhëzoi të shikonim përtej spektaklit të imazheve, dhe t’i kuptonim ato si ura midis artistëve dhe publikut, midis kujtesës dhe së mundshmes.

Si kryetar i bordit të FOTOIST, Paul solli përvojën e tij globale dhe shpirtin e tij bujar. Ai besonte në fuqinë e fotografisë për të ndërtuar komunitet, për të hapur sytë dhe për të zgjuar ndërgjegjen. Besimi i tij në vizionin tonë, mbështetja e tij e palëkundur dhe miqësia e ngrohtë i dhanë festivalit tonë guxim e krahë për të fluturuar më lart.

Ka kaluar një vit nga ndarja e tij e parakohshme, por prania e Paul vazhdon të ndihet në çdo fotografi që ekspozojmë, në çdo dialog që hapim, në çdo përpjekje që bëjmë për ta mbajtur festivalin tonë një hapësirë ku lidhja, kuptimi dhe arti bashkohen.

Falënderim i veçantë shkon edhe për autorin e videos, fotografin Korab Basha, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndaj FOTOIST – International Photography Festival dhe fotografisë në tërësi. /Telegrafi/

Related Posts