Drejtori i përgjithshëm i televizionit publik britanik BBC, Tim Davie, dhe shefja e lajmeve në këtë transmetues, Deborah Turness, dhanë dorëheqje të dielën pas akuzave për anshmëri në mediumin e njohur në mbarë botën, përfshirë mënyrën se si televizioni kishte edituar një fjalim të presidentit amerikan, Donald Trump.
Televizioni i financuar me fonde publike ka qenë nën presion në rritje pas një raporti të një ish-këshilltari për standarde, i cili përmend dështime në mbulimin e luftës mes Izraelit e Hamasit, çështjeve transgjinore dhe një fjalimi të Trumpit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti amerikan i mirëpriti dorëheqjet, duke i quajtur “njerëz shumë të pasinqertë” dy figurat, pasi programi “Panorama” i BBC-së kishte edituar dy pjesë të njërit prej fjalimeve të tij dhe i kishte bërë bashkë, duke e bërë Trumpin të dukej sikur po e inkurajonte kryengritjen në Capitol Hill në janarin e vitit 2021.
Davie, i cili e ka udhëhequr televizionin publik britanik që nga viti 2020, e mbrojti mediumin, duke thënë se gazetaria e tij është parë si standard përreth botës. Megjithatë, shtoi se janë bërë gabime dhe se ai duhej ta merrte përgjegjësinë përfundimtare.
Zonja Turness, shefe ekzekutive e “BBC News”, gjithashtu dha dorëheqje. Në një shkresë elektronike dërguar stafit, ajo tha: “Dëshiroj që të jem absolutisht e qartë se akuzat e bëra rishtazi se BBC News është i anshëm institucionalisht janë të gabuara.”
I respektuar gjerësisht përreth botës, BBC-ja ende prin në sondazhe në Britani si mediumi më i besueshëm dhe ka shtrirje të gjerë në vend, duke ofruar lajme, emisione argëtuese dhe sport.
























