Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se në çështjen e Kosovës, ishte angazhuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në maj të 1998-ës, konkretisht nga Madeleine Albright  sekretarja e atëhershme e SHBA-së të cilës edhe i raportonte.

Hill- tani diplomat në pension –  tha se rolin e tij e ka kuptuar si diplomat që duhet të ofrojë një mbështetje ose zgjidhje politike dhe rrjedhimisht të ndihmojnë që të zmbrapsen forcat në Kosovë nga dhuna në rritje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Që në fillim fare jam përpjekur që me kolegët e Departamentit të Shtetit të mund të ndërtonim një plan autonomie në mënyrë të tillë që të kthehej autonomia e Kosovës, në mënyrë që Kosova të kishte vetëqeverisjen e vet. Kjo ishte pista kryesore që ndiqnim me Kosovën dhe Serbinë”, tha Hill.

Dëshmitari këtë e tha duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.

Dëshmitari duke treguar për funksionin që ka pasur në Maqedoni dhe në Shqipëri, tha se çështja e Kosovës ishte një temë e madhe në Ballkan, por që nuk ishte e vetmja duke iu referuar edhe çështjes së luftërave në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.

“Kosova ishte një temë shumë e madhe për Ballkanin, por në atëkohë s’ishte e vetmja çështje që diskutohej sepse kishte shumë luftëra që ndërhynin në këtë çështje si lufta në Bosnjë dhe Kroaci”, tha ai.

Deri në maj të viti 1998, Hill tha se nuk e ka vizituar Kosovën deri kur iu kërkua që të merrte përgjegjësi shtesë nga ana e SHBA-së.

Dëshmitari tha se në bisedat e Dejtonit kanë qenë të përqendruara në përfundimin e luftës në Bosnje, por që tema e Kosovës përmendej nga shtetas amerikanë me prejardhje nga Kosova që kërkonin zgjidhje për Kosovën. Tha se ka biseduar për Kosovën edhe me Sllobodan Millosheviqin.

“Më kujtohet që kam pasur biseda të drejtpërdrejta me presidentin Millosheviq në kontekstin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit se e dinim që Kosova do të ishte çështja tjetër e radhës”, tha Hill.

Hill ka mbajtur pozita të të rëndësishme në Ballkan gjatë karrierës së tij diplomatike gjatë viteve të ’90-a, përfshirë ambasador në Shqipëri, pastaj ambasador më Maqedoni (96-98), nga maji i 98-s Departamenti amerikan i Shtetit atij iu ngakua detyra e të dërguarit të Posaçëm për Kosovën.

Edhe pas pensionimit, ai e pranoi ftesën e DASH-it për tu bërë ambasador i SHBA-së në Serbi nga viti 2022 deri në janar të 2025-tës.

Ai ka punuar edhe bashkë me ambasadorin Richard Hodlbroke për marrëveshjen e Daytonit dhe atë të Holdbroke në tetor të 98-ës, të cilën Serbia e refuzoi.

Related Posts