Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së martës në Istog, ku një konflikt mes dy personave ka përfunduar me tentativë vrasjeje dhe dëmtime të shumta pronësore.

Sipas burimeve të sigurta, incidenti ka ndodhur dje, rreth orës 15:58, në rrugët “Mulinjtë e Istogut” dhe “Fadil Ferati”. Fillimisht, Isuf Zeqiraj, rreth 31-vjeçar dhe Adrian Racaj, rreth 22-vjeçar janë përfshirë në një përleshje fizike, ku gjatë konfliktit, Zeqiraj ka përdorur një sëpatë, duke tentuar ta godasë Racajn, por ka plagosur një person tjetër, F.Z., rreth 20-vjeçar, i cili ndodhej afër vendit të ngjarjes.

Pas incidentit, Racaj është përpjekur të hakmerret duke drejtuar automjetin drejt Zeqirajt me qëllim ta godasë, por ka dëmtuar tri automjete të tjera të parkuara dhe xhamat e një lokali afër vendit të ngjarjes.

Konflikti ka vazhduar në rrugën “Fadil Ferati”, ku Zeqiraj, i cili po largohej me kamionetën e tij, është ndjekur nga Racaj. Pasi ky i fundit e ka arritur, e ka goditur kamionetën me sëpatë dhe ka shkaktuar lëndime trupore ndaj Zeqirajt. Më pas, Racaj është larguar nga vendi i ngjarjes, duke marrë me vete mjetin e sulmit.

Policia ka arrestuar menjëherë Isuf Zeqirajn, të cilit i është dhënë ndihmë mjekësore, ndërsa Adrian Racaj është ende në arrati.

Related Posts