Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nënkryetari Uran Ismaili ka reaguar me një mesazh falënderues dhe mbështetës për ish-kreun e partisë.

Ismaili ka theksuar se me Krasniqin ka ndarë çdo hap të rrugëtimit politik për gati dy dekada dhe është shprehur krenar për punën dhe përkushtimin e tij ndaj PDK-së.

“Me Memlin e kam bërë çdo hap në politikë, tash e dy dekada. Jam shumë krenar për punën e tij, por edhe për dashninë e madhe që gjithmonë ia ka dhënë PDK-së,” – ka shkruar ai.

Ismaili ka vlerësuar se Krasniqi ka hapur rrugën për një brez të ri aktivistësh që kanë nisur angazhimin e tyre politik nën udhëheqjen e tij, duke theksuar se dorëheqja e tij është një akt dinjitoz për t’i dhënë partisë një momentum të ri.

“Pas një pune të madhe e të ndershme, sot Memli me bindje të plotë dhe me dinjitet të jashtëzakonshëm dha dorëheqje për të krijuar një momentum të ri për PDK-në dhe Kosovën. Për Memlin, PDK ka qenë gjithmonë e para – përtej çdo kalkulimi personal.”

Në fund, Ismaili ka shprehur mirënjohje për kontributin e Krasniqit dhe ka shtuar se PDK-ja është sot më e fortë se kur ai mori drejtimin e saj.

“Memli, të jam thellësisht mirënjohës për gjithë punën, dashninë dhe angazhimin që ke dhënë për PDK-në dhe për Kosovën. Sot, PDK është më lartë dhe me rezultate më të mira se kur ke marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr. Shumë krenar me ty. Vazhdojmë bashkë drejt fitoreve të reja!”

Related Posts