Presidentja Vjosa Osmani është takuar të mërkurën me drejtorin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.
Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit thotë se ky instituti është zemra e kujtesës kombëtare dhe vendi ku ruhet e vërteta për periudhën më të rëndë të historisë së Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Osmani thotë se në këtë institut mban gjallë kujtesën e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës.
“Kujtesa e një kombi që kërkon drejtësi. Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është zemra e kujtesës sonë kombëtare — vendi ku ruhet e vërteta për periudhën më të rëndë të historisë sonë. Me mijëra dëshmi të mbledhura e dokumentuara, ky institucion mban gjallë kujtesën e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës”.
“Në takimin me drejtorin Atdhe Hetemi dhe ekipin e tij të përkushtuar, theksova se drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës është borxhi ynë më i madh si shtet dhe si shoqëri. Çdo jetë e humbur është kujtesë e dhimbshme se pa mbrojtur të vërtetën, pa drejtësi dhe pa kujtesë – nuk ka paqe të vërtetë”, ka shkruar Osmani.
Pos tjerash, presidentja shtoi se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk është vetëm arkiv, por ndërgjegjja e kombit.
“Instituti nuk është vetëm arkiv – është ndërgjegjja e kombit tonë, dëshmia e sakrificës mbi të cilën u ngrit liria jonë. Prandaj, e vërteta e dokumentuar do të dëgjohet dhe do të jetojë. Ftoj çdo qytetar, studiues, e çdo të ri të vendit të mbrojë dhe të ruajë këtë kujtesë. Sepse historia nuk harrohet – ajo tregohet e mbrohet, me dinjitet dhe me të vërtetën si themel”.
























