Ish-ambasadori holandez, Robert Bosch, ka zhvilluar një vizitë në një kolegj në Kosovë, ku në fjalimin e tij u përqendrua kryesisht tek procesi gjyqësor në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte.

Bosch fillimisht u shpreh tejet kritik për mënyrën se si e kishte shkruar raportin për trafikim organesh ish-senatori zviceran, Dick Marty.

“E mbaj mend se kam qenë jashtëzakonisht i irrituar kur u mbështet raporti i Dick Martyt, sepse në vlerësimin tim ai përmban shumë mangësi. Për këtë çështje kam pasur polemika edhe me zyrtarë të tjerë evropianë dhe jam habitur kur ata e mbështetën raportin e Martyt, në të cilin pretendohet se ka pasur trafikim organesh të kryera nga udhëheqës të UÇK-së”, ka thënë Bosch.

Ish-ambasadori holandez beson se ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm në fund të procesit.

“UNMIK-u dhe EULEX-i kanë pasur mandat të plotë për hetimin e krimeve të luftës, prandaj lind pyetja pse ishte e nevojshme krijimi i një Gjykate tjetër. Fatkeqësisht, presioni ndërkombëtar mbi Kosovën për themelimin e Gjykatës Speciale ishte shumë i madh. Është me të vërtetë e veçantë që Thaçi dhe të tjerët u dorëzuan vullnetarisht në Hagë, dhe kjo duhet të vlerësohet. Nëse zhvillohet një proces i drejtë gjyqësor, besoj se këta njerëz do të shpallen të pafajshëm nga kjo Gjykatë”, tha ai.

Related Posts