Këngëtarja dhe aktorja e njohur botërisht, Lady Gaga, ka hapur zemrën dhe ka treguar për herë të parë një nga kapitujt më të vështirë të jetës së saj. Edhe pse e shihnim të shkëlqente në skenë dhe në ekran, realiteti i saj ishte krejt tjetër.

Gjatë xhirimeve të filmit të jashtëzakonshëm “A Star Is Born”, që i solli asaj një Oscar për këngën “Shallow”, Gaga ka zbuluar se ishte nën ndikimin e litiumit gjatë gjithë periudhës së punës. Pavarësisht suksesit marramendës dhe bashkëpunimit me Bradley Cooper, ajo rrëfen se pas kamerave po përballej me një dhimbje të heshtur dhe një luftë të brendshme të padukshme.

Në një intervistë të fundit, teksa feston suksesin e albumit të ri “Mayhem” – i nominuar për shtatë Grammy – 39-vjeçarja ka folur hapur për një episod të rëndë psikotik që përjetoi menjëherë pas xhirimeve dhe gjatë turneut botëror.

“E bëra ‘A Star Is Born’ me litium,” tha ajo. “Menjëherë pas xhirimeve, ndërsa isha në turne, përjetova një episod psikotik. Një ditë, motra ime më tha: ‘Nuk e shoh më motrën time.’ Aty e kuptova se diçka nuk shkonte.”

Pas atij momenti kritik, Gaga anuloi turneun dhe kërkoi ndihmë mjekësore urgjente.

“Shkova në spital për kujdes psikiatrik,” tregon ajo. “Më duhej të bëja një ndalesë. Nuk mund të funksionoja më… U thyeva plotësisht. Ishte e frikshme. Kishte momente kur nuk besoja se do të shërohesha. Sot ndihem me fat që jam gjallë.”

Në këtë rrugëtim të vështirë, një rol të madh ka pasur edhe partneri i saj, Michael Polanski, i cili qëndroi pranë saj në çdo hap.

“Të jesh e dashuruar me dikë që të do për atë që je vërtet… kjo më ndryshoi jetën,” u shpreh ajo. Megjithatë, këngëtarja pranon se rikthimi drejt vetvetes nuk ka qenë i shpejtë, as i lehtë.

“Si mëson të jesh vetvetja me dikë, kur nuk di si të jesh vetvetja me askënd?” pyet ajo, duke reflektuar mbi rrugën e gjatë të shërimit.

Historia e Lady Gaga-s është një kujtesë e fortë se edhe më të famshmit, më të talentuarit dhe më të suksesshmit mund të përballen me beteja të mëdha të padukshme. Dhe se ndihma, dashuria dhe guximi për të folur hapur mund të shpëtojnë jetë. /GazetaExpress/

 

Related Posts