Kosova në mbrëmjen e së martës do të zhvillojë një ndeshje historike për të mbajtur shpresat për një vend të parë në Grupin B të kualifikuesve për Kupën e Botës.

Djelmoshat e trajnerit Franco Foda, pas fitores 2-0 ndaj Sllovenisë, e kanë siguruar të paktën një vend në play-off, por shpresat për të mbyllur kualifikimet në krye të grupit mbeten të hapura.

Për ta arritur këtë, Kosova ka nevojë për një fitore të thellë ndaj Zvicrës në ndeshjen e fundit, që do të luhet të martën në “Fadil Vokrri”.

Për të kaluar helvetikët në renditje dhe për të siguruar vendin e parë, ekipi i Kosovës duhet të fitojë me një diferencë prej të paktën 6 golash, ose çfarëdo rezultati tjetër që do të mundësonte një epërsi në golaverazh.

Aktualisht, Zvicra është në krye të Grupit B me 13 pikë, tri më shumë se Kosova. Megjithatë, në rast fitoreje të “Dardanëve”, të dyja ekipet do të barazonin në pikë, por ndryshimi i golave është çelësi.

Zvicra ka një golaverazh të jashtëzakonshëm prej +6 (13 gola të shënuar dhe 1 të pësuar), ndërsa Kosova ka një golavarazh +1 (5 gola të shënuar dhe 4 të pësuar), shkruan Gazeta Express.

Nëse Kosova arrin të shënojë një fitore prej 6-0, golaverazhi do të kalonte në +7 (11-4), duke mundësuar një ngjitje në vendin e parë dhe sigurimin e një bilete direkte për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Atmosfera në “Fadil Vokrri” pritet të jetë elektrizuese, me tifozët që do të mbushin stadiumin dhe do të mbështesin maksimalisht ekipin kombëtar në këtë sfidë të madhe.

Related Posts