Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar një njoftim, duke paralajmëruar reshje të dendura shiu gjatë datave 18 dhe 19 nëntor, të cilat mund të shkaktojnë vërshime të shpejta në disa zona të vendit.

Sipas IHMK-së, reshjet pritet të nisin gjatë mbrëmjes së 17 nëntorit, fillimisht në perëndim të vendit, për t’u shtrirë gradualisht në të gjithë territorin e Kosovës. Ato do të karakterizohen me intensitet mesatar, ndërsa në disa lokalitete do të jenë mjaft intensive.

Instituti ka identifikuar edhe zonat më të rrezikuara nga reshjet e fuqishme dhe përmbytjet e menjëhershme. Ndër to përfshihen rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit si dhe disa rrjedha me karakter malor.

Për këto dy ditë është aktivizuar niveli portokalli i rrezikut, meqenëse në disa zona reshjet mund të tejkalojnë 40 litra për metër katror brenda 24 orëve. Sipas IHMK-së, kjo sasi e lartë e shiut mund të shkaktojë përmbytje, vështirësi në trafikun rrugor, probleme në bujqësi dhe rrezik të shtuar nga rrëshqitjet e dheut e baltës. Po ashtu, theksohet se ekziston rrezik për dëmtime pronash dhe kërcënim për jetën e njerëzve dhe kafshëve.

Instituti sqaron se paralajmërimi bazohet në të dhëna dhe modele të avancuara të sigurta prognostike, përfshirë ato të Qendrës Evropiane për Parashikimin e Motit (ECMWF), ICON-KS, shërbimet gjermane të motit DED, sistemin evropian Copernicus EFAS, modelin PANTA RHEI dhe rrjetin shtetëror të stacioneve hidrometeorologjike.

IHMK rekomandon që qytetarët dhe institucionet kompetente të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe të ndërmarrin masa paraprake për të minimizuar rreziqet.

Related Posts