Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, me rastin e 117-vjetorit të Kongresit të Manastirit, ka deklaruar se sot përkujtohet ngjarja që i dha kombit shqiptar themelet e gjuhës së shkruar.
“Më 14 nëntor 1908, në zemër të Manastirit nisi punimet Kongresi i Alfabetit, kuvendi i dijetarëve shqiptarë që vendosi fatin e gjuhës sonë. Për tetë ditë rresht, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare punuan për njësimin e alfabetit, duke e bërë 22 nëntorin datë të unitetit kombëtar”, ka shkruar Basha në Facebook.
Ai theksoi se vizioni i delegatëve të asaj kohe la alfabetin që përdoret sot në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Mal të Zi dhe në diasporë.
“Kongresi i Manastirit, i udhëhequr nga mendjet e shquara të kohës si Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Gjergj Qiriazi, Ndre Mjeda, Sotir Peci dhe Parashqevi Qiriazi, mbetet gur themeli i kulturës dhe identitetit tonë kombëtar. Kongresi dëshmoi se kur shqiptarët bashkojnë mendjet dhe vullnetin, nuk mungojnë as sukseset historike me vlera të mëdha e gjurmë të përhershme”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, Basha tha se fryma e Manastirit duhet të udhëheqë edhe politikën shqiptare të ditëve të sotme, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit institucional dhe mbështetjes për shqiptarët kudo që jetojnë.
“Gëzuar 117 vjetorin e Kongresit të Manastirit. Nderim Kongresit dhe të gjithë atyre që e mbrojnë, e shkruajnë dhe e kultivojnë gjuhën shqipe”, përfundoi Basha.
























