Ish ylli i Manchester Unitedit, Paul Pogba më në fund regjistroi debutimin e shumëpritur me AS Monaco – por rikthimi i tij në futbollin konkurrues erdhi në një rrethanë aspak ideale, me skuadrën e tij duke humbur 4-0 ndaj Rennes.

Francezi nuk kishte luajtur prej dy vitesh, pas pezullimit katërvjeçar për doping që më pas u reduktua në 18 muaj pas apelimit.

Pas plot 811 ditësh pa futboll zyrtar, Pogba më në fund mund ta quajë veten sërish futbollist aktiv, falë një paraqitjeje të shkurtër prej rreth 10 minutash të shtunën mbrëma.

Gjithsesi, statistikat personale të Pogbas në ato minuta ishin premtuese: ai preku topin 17 herë, kompletoi 14 nga 15 pasimet e tentuara, rikuperoi dy herë topin dhe bëri një ndërprerje.

Pas ndeshjes, Pogba për “RMC Sport” deklaroi se është i zhgënjyer me humbjen, por i lumtur me rikthimin në fushë.

“U zhgënjeva që humbëm këtë ndeshje. Është rikthimi i Paul Pogbas, por unë luaj për Monacon, dhe nuk më pëlqen të humbas”.

“Nga njëra anë isha shumë i lumtur, por nga ana tjetër isha i zhgënjyer me rezultatin dhe atë që bëmë në fushë”.

Pogba u emocionua edhe nga pritja e tifozëve: “Më preku pritja. Të shoh turmën të ngrihet dhe të duartrokasë, nuk e prisja. Një falënderim i madh për tifozët që më mbështetën personalisht”.

“Ndjenja ishte e mirë, doja të sillja energji të mirë, të mos pësonim gol, të kënaqesha – ka kaluar shumë kohë. Jam i lehtësuar që u ktheva të luaj futboll, gjënë që e dua më shumë në botë. Ka ende punë për t’u rikthyer në formë të plotë”, shtoi ai.

Related Posts