Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj ngërçit politik që ka ndodhur pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025 në Kosovë.
Zëdhënësi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nikolla Gaon, ka bërë të ditur për Telegrafin se vendimi për dërgimin e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të 28 dhejtorit do të konfirmohet më vonë.
“Duke qenë se njoftimi për zgjedhjet është bërë vetëm së fundmi, do të konfirmojmë pjesëmarrjen e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve më vonë”, tha Gaon.
Ai shprehu keqardhjen e Bashkimit Evropian për situatën politike të krijuar në vend.
“BE-ja shpreh keqardhjen që partitë politike nuk arritën të kapërcejnë ngërçin politik të zgjatur pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025”, ka deklaruar Gaon.
Ai gjithashtu tha se BE-ja ka marrë njoftimin për zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, dhe nënvizon rëndësinë e një procesi zgjedhor të mirë administruar dhe konkurrues.
“Përfshirja, certifikimi i partive politike dhe akreditimi i mediave nga të gjitha komunitetet janë thelbësore për një proces të drejtë zgjedhor”, u shpreh zëdhënësi i zyrës së BE-së në Prishtinë.
Gaon gjithashtu shtoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të punojë me autoritetet e Kosovës sapo të zgjidhen dhe të vazhdojë mbështetjen në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e duhur për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe për të përparuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, u shpreh Gaon.
























