Truri kalon nëpër pesë faza qartë të dallueshme gjatë jetës së njeriut, me pika kyçe kthese në moshat nëntë, 32, 66 dhe 83 vjeç, tregoi studimi më i ri i shkencëtarëve nga Universiteti i Cambridge-it
Rezultatet, të bazuara në skanime të trurit të rreth 4.000 njerëzve të moshës deri në 90 vjeç, u publikuan në revistën “Nature Communications” dhe sipas BBC, u zbulua se adoleshenca, periudha e ndryshimeve të mëdha në lidhjet neuronale, nuk përfundon në vitet e adoleshencës, por zgjat deri në fillim të të tridhjetave.
Sipas autores së studimit, Alexa Mousley, “truri zhvillohet gjatë gjithë jetës, duke forcuar dhe dobësuar lidhjet në faza të ndryshme”.
Shkencëtarët identifikuan pesë fazat e zhvillimit të trurit, transmeton Telegrafi.
Fëmijëria – deri në 9 vjeç
Kjo është periudha e zhvillimit të shpejtë të trurit, e shoqëruar me zvogëlimin e një numri të madh sinapsesh të formuara herët në jetë. Kjo fazë karakterizohet nga procesi i njohur si “prerja sinaptike” (synaptic pruning), i cili rrit efikasitetin e qarkullimit neuronal.
Adoleshenca – nga 9 deri në 32 vjeç
Ky është kapërcimi më i madh në efikasitetin e lidhjeve të trurit, si dhe periudha me rrezikun më të lartë për shfaqjen e çrregullimeve mendore. Gjatë kësaj kohe ndodh riorganizim i thellë i rrjeteve të kontrollit ekzekutiv dhe emocional, çka shpjegon edhe pse shumë çrregullime si depresioni, ankthi dhe skizofrenia shfaqen pikërisht në këtë moshë.
Mosha e rritur – nga 32 deri në 66 vjeç
Fazë relativisht stabile, me ndryshime më të ngadalshme, gjatë së cilës efikasiteti i rrjetit neuronal fillon të bjerë pak nga pak. Kjo periudhë lidhet me konsolidimin e funksioneve njohëse dhe me ngadalësimin fiziologjik që ndodh natyrshëm me moshën.
Plakja e hershme – nga 66 deri në 83 vjeç
Truri fillon të ndahet gjithnjë e më shumë në rajonet funksionale të specializuara, një proces që mund të lidhet me rritjen e riskut për demencë dhe probleme kardiovaskulare. Ndryshimet në rrjetet e kujtesës dhe proceset e kontrollit njohës bëhen më të dukshme në këtë etapë.
Faza e fundit e plakjes – pas 83 vjeç
Kjo është periudha ku vërehet thellim i ndryshimeve nga faza e mëparshme, edhe pse të dhënat janë më të kufizuara për shkak të numrit më të vogël të pjesëmarrësve të shëndetshëm në këtë moshë. Kjo fazë konsiderohet ende ndër më pak të studiuarat në neuroshkencë.
Profesorët që nuk kanë marrë pjesë në studim e vlerësuan atë si “shumë interesant” dhe në përputhje me njohuritë ekzistuese për zhvillimin dhe plakjen e trurit, duke theksuar megjithatë se dallimet individuale mbeten të mëdha.
Autorët theksojnë se studimi mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të ndryshimeve në riskun për çrregullime mendore dhe demencë gjatë gjithë jetës.

























