Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka komentuar kritikat e Ambasadës Amerikane në Kosovë karshi Lëvizjes Vetëvendosje pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Pas pjesëmarrjes së tij në konferencës së 10-të të Mjedrës në Kosovë të organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”, kur u pyet nga gazetarët për kritikat karshi vendimit të partisë që ai udhëheqë për moscertifikimit të Listës Serbe, Kurti nuk foli para mediave.

Gjatë ditës së sotme, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar ashpër pas moscerifikimit të Listës Serbe nga anëtarët e KQZ-së për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Ambasada e SHBA thotë se përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse, transmeton KosovaPress.

Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet se veprimet e tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së përfshirë rinisjen e dialogut strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare.

“Përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin që Lista Srpska të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagim.

Related Posts