Një rast i dyshimtë vdekjeje është regjistruar në Prizren, ku një person është gjetur pa shenja jete në një lokal të marrë me qira në rrugën “Edit Durham”.

Siç merr vesh ekskluzivisht Gazeta Sinjali nga burime të besueshme, viktima është identifikuar si Ahmet Ejupi, me nënshtetësi të dyfishtë të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Sipas të dhënave fillestare, dëshmitari M. V. ka deklaruar se më 07.12.2025, rreth orës 16:00, kishte hyrë në lokal dhe kishte vërejtur viktimën pa shenja jete.

Megjithatë, ai nuk e ka njoftuar Policinë e Kosovës, por vetëm e ka informuar familjen e viktimës, e cila jeton në Durrës.

Pas kësaj, ai ka vazhduar udhëtimin drejt aeroportit, duke mos raportuar rastin deri të nesërmen.

Rreth orës 08:30 të datës 08.12.2025, dëshmitari ka njoftuar policinë, e cila ka reaguar menjëherë duke siguruar vendin e ngjarjes. Në vend kanë dalë njësitet policore, ekipi mjekësor i urgjencës, si dhe hetuesit rajonalë bashkë me krim-teknikën.

Related Posts