Familja e Martin Canit kanë reaguar pas vendimit të marrë këtë të martë nga Gjykata e Tiranës ku u dënua me 16 vite burg autorin e vrasjes së 14-vjeçarit. Familja e Martinit e kanë cilësuar vendimin si një akt kurajoz, profesional dhe të drejtë.
Më tej theksuan se drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin dhe se 14-vjeçari është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.
“Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne — familja e Martin Canit — kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie.
Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale — vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit.
Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë. Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.
























