Një ditë para protestës së paralajmëruar për 13 dhjetor në Shkup, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka rritur mobilizimin brenda dhe jashtë Kosovës, duke paralajmëruar një pjesëmarrje të gjerë qytetare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Kjo protestë vjen pas disa tubimeve të zhvilluara më herët në Prishtinë, Tiranë dhe qytete të tjera, të cilat kanë synuar të ngrenë zërin kundër, sipas veteranëve, një procesi të padrejtë dhe politikisht të motivuar.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë të ditur për FrontOnline se interesimi për protestën e Shkupit është shumë i madh, sidomos nga qytetarët e Kosovës, por edhe nga ata të Maqedonisë së Veriut. Ai thotë se pritet një pjesëmarrje prej rreth 20 mijë protestuesve nga të dy vendet.

‘’Interesimi është shumë madh nga qytetarët e Kosovës e sidomos nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ne presim numër të madh të protestuesve , presim të jenë 20.000 protestues nga të dy shtetet Kosova e Maqedonia e Veriut mirëpo interesim më i madh vjen nga Kosova’’, tha Gucati.

Sipas Gucatit, OVL-UÇK ka marrë mbështetje nga të gjitha partitë politike në të dy shtetet, ndërsa në protestë pritet të jenë të pranishëm edhe kryetarë komunash, veçanërisht nga Kosova.

Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike që ta mbështesin këtë tubim dhe të kontribuojnë në mobilizimin qytetar për, siç thotë ai, mbrojtjen e vlerave çlirimtare.

‘’ Kemi marrë mbështetja nga të gjitha partitë politike edhe në Kosovë edhe ne Maqedoni dhe do të ketë pjesëmarrje edhe nga kryetarë komunash të dy shteteve e sidomos nga Kosova .I bëj thirrje partive politike që të mbështesin protestën dhe të bëjnë thirrje për këtë protestë për çlirimtaret’’, përfundoi kreu i OVL-UCK.

Pas deklaratës të Gucatit për FrontOnline është deklaruar edhe një përfaqësues politik në Maqedoninë e Veriut. Ai koalicioni VLEN, i cili ka dhënë qëndrimin e tij lidhur me protestën e 13 dhjetorit dhe përdorimin e çështjes së UÇK-së në diskursin politik.

Related Posts