Ai njihet si njëri nga zyrtarët më të paguar të shtetit të Kosovës. Me pagë vjetor mesatare mbi 30 mijë euro, sekretari i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Esat Kelmendi për një muaj kishte marrë rrogë 4 mijë e 174 euro, nga to 2245 veç honorare.
Kjo kishte ndodh në shtatorin e vetit të kaluar, për çka Ballkani.info ka raportuar javën e kaluar.
Mirëpo, Kelmendi e ka edhe një burim tjetër të pashterrshëm financiar dhe atë që nga vitit 2017 kur ishte ndryshuar Rregullorja e Universitetit të Prishtinës. Bëhet fjalë për të ashtuquajturën shtesë funksionale prej 250 euro, të cilën Kelmendi e merr që nga viti 2017 për çdo muaj.
Kjo i bie që sekretari i UP-së të paguhet në vit me ekstra pagë 3000 euro.
Kjo nuk është e tëra, pasi që anëtar i Komisionit për shqyrtimin dhe ndryshimin e Rregullores së UP-së ishte vet Esat Kelmendi.
Ballkani.info e ka parë vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së ku kishte marrë vendim për emërimin e Komisionit për Shqyrtimin e Rregullores për të ardhura Personale të Universitetit “Hasan Prishtina”, e ku anëtar ishte Esat Kelmendi. Kryetar ishte emëruar Ismet Salihu, udhëeheqës i Këshillit Drejtues.
Në rregulloren e UP-së të vitit 2016, thuhet qartë në Nenin 2 të Dispozitave të Veçanta, se ‘Personeli i administratës së Universitetit të Prishtinës i nënshtrohet Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës, legjislacionit përkatës në fuqi, Statutit të Universitetit dhe aktet tjera të brendshme’.
Me këtë shihet qartë se Kelmendi, staf administrativ, nuk ka të drejt në kompensim, pasi që bie ndesh me rregulloren e UP-së.
Në nenin 4 të kësja Rregulloreje përcaktohet Pagasa e personelit administrative dhe e cila për sekretarin e UP-së është 1428.75 euro bruto në muaj.
E këtë e ka thënë qartë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e Auditimit të paqyrave financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2020.
“Në testimet tona, kemi vërejtuar se kompensimi i SP (sekretarit të përgjithshëm) të Universitetit është përfshirë në dy rregullore, duke përfshirë pagën bazë të Rregullores Nr. 3/525 për pagat për personelin e administratës, neni 4, në vlerë 1,429 euro ndërsa kompensimi funksional në vlerë 250 euro është i caktuar në nenin 9 të Rregullores Nr. 2/486 për të ardhurat personale të personelit akademik. Rrjedhimisht, pozita e sekretarit të përgjithshëm nuk klasifikohet në kategorinë e personelit akademik, përkatësisht kjo pozitë ka rolin e udhëheqësit më të lartë administrative, dhe si e tillë nuk do të duhej të ishte e përfshirë në rregulloren për personelin akademik”, thuhet në Raportin e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
“Kjo kishte ndodhur për shkak së Këshilli Drejtues gjatë hartimit në rregulloren përkatëse, nuk kishte marrë parasysh klasifikimin e pozitave në Statutin e UP”, thekson tutje Auditori.
Në pjesën që ka ndikim kjo që ka ndodh me sekretarin Kelmendi, Auditori thotë: “Përcaktimi i kompensimit të pozitës së stafit udhëheqës administrative në rregulloren për kompensimin e stafit akademik bie në kundërshtim me fushëveprimin e kësaj rregulloreje si dhe në kundërshtim me statutin e UP-së”.
Kjo është rregullorja e vitit 2017 ku përcaktohen shtesat e stafit akademik, ku është përfshirë në kundërshtim me statutin – sekretari i përgjithshëm. Këtë e ka përmendur edhe Auditori i Përgjithshëm në raportin e vitit 2020, pasi që sekretari nuk është staf akademik, por administrativ.
Ballkani.info i ka parë edhe Rregulloret e Universiteteve tjera Publike të Kosovës, si atë të Gjilanit, Prizrenit, Gjakovës, etj. Në këto rregullore askund nuk janë të përfshirë në shtesën funksionale sekretarët e Universiteteve.