Trajneri i njohur italian, Luciano Spalletti, ka dhënë një vlerësim të drejtpërdrejtë dhe realist për Edon Zhegrovën, duke theksuar cilësitë dhe kufizimet e anësorit kosovar.

Sipas Spallettit, Zhegrova është një lojtar që në këtë moment nuk mund të ofrojë kontribut të madh në fazën mbrojtëse, por bëhet shumë i rrezikshëm kur përdoret në mënyrën e duhur në sulm.

“Zhegrova është një lojtar që në këtë moment nuk mund ta bëjë atë punë mbrojtëse. Nëse arrin ta vësh të vrapojë përpara drejt kundërshtarëve, ai mund të jetë vdekjeprurës,” është shprehur Spalletti.

Tekniku italian ka shtuar se skuadra duhet të jetë e organizuar në mënyrë që ta vendosë Zhegrovën në pozita ku ai të fokusohet vetëm në fazën ofensive.

“Prandaj duhet ta mbajmë topin në një pozicion ku ai ta ketë vetëm atë detyrë. Nëse nuk arrijmë ta bëjmë këtë, atëherë bëhemi të cenueshëm,” ka theksuar ai.

Spalletti nuk ka hezituar të flasë edhe për aspektin fizik dhe duelët mbrojtës, duke pranuar se këto nuk janë pika e fortë e futbollistit kosovar.

“Nuk besoj se Zhegrova do të jetë ndonjëherë në gjendje të mbrojë në mënyrë të fortë e të qëndrueshme, sepse ato nuk janë karakteristikat e tij. Kur i duhet të mbrojë, ai ‘shkrihet’. Ai mund të kthehet me vrap në pozicion, por ndonjëherë duhet t’i ngjitesh në trup kundërshtarit, ta kthesh në një duel fizik. Ky nuk është stili i tij,” përfundoi Spalletti.

Deklaratat e Spallettit tregojnë qartë se Zhegrova mbetet një armë e fortë në sulm, por kërkon një sistem loje të përshtatur për të maskuar dobësitë e tij në mbrojtje.

Related Posts