Një incident me zjarr ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ku si pasojë janë shkaktuar dëme materiale në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF), përfshirë djegien e një autoambulance.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar se rreth orës 02:40 është raportuar për zjarr në ambientet e QMF-së në Ratkoc.

Sipas tij, njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë, ndërsa zjarri kishte përfshirë dhe djegur një autoambulancë të kësaj qendre shëndetësore.

“Si pasojë e flakëve janë shkaktuar dëme edhe në objektin e QMF-së. Zjarri është lokalizuar me kohë dhe fatmirësisht nuk ka pasur pasoja për njerëzit”, ka deklaruar Elezaj.

Ai bëri të ditur se, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “zjarrvënie”, ndërsa Policia është në kërkim të një personi të dyshuar.

Hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Related Posts