Danimarka kërkon që të gjitha kombet, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të respektojnë sovranitetin e saj territorial pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump emëroi një të dërguar të posaçëm për ta vënë Groenlandën nën kontrollin e Uashingtonit, tha të hënën Ministri i Jashtëm Lars Lokke Rasmussen.
Rasmussen tha në një deklaratë se, ndërsa emërimi “konfirmon interesin e vazhdueshëm amerikan në Groenlandë”, Danimarka këmbëngul se “të gjithë, përfshirë SHBA-në, duhet të tregojnë respekt për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës”.
Sipas raportimeve të mediave vendase, Rasmussen do të thërriste ambasadorin e SHBA-së në Kopenhagen, Kenneth Howery, për një takim në ministri, shkruan Euronews.al.
“E kemi thënë edhe më parë. Tani e themi përsëri. Kufijtë kombëtarë dhe sovraniteti i shteteve janë të rrënjosura në të drejtën ndërkombëtare”, thanë kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe homologu i saj i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, në një deklaratë të përbashkët.
“Ato janë parime themelore. Nuk mund të aneksosh një vend tjetër. As me një argument për sigurinë ndërkombëtare”.
“Grenlanda u përket grenlandezëve dhe SHBA-të nuk do ta pushtojnë Grenlandën. Ne presim respekt për integritetin tonë të përbashkët territorial”, shtuan ata në deklaratën e dërguar me email nga zyra e Frederiksen.
Nielsen i Groenlandës shkroi më herët në Facebook se territori gjysmë-autonom danez ishte “zgjuar përsëri me një njoftim të ri nga presidenti i SHBA-së, por kjo nuk ndryshon asgjë për ne në vend”.
“Grenlanda u përket grenlandezëve dhe integriteti i saj territorial duhet të respektohet”, shkroi Nielsen, duke shtuar se ndërsa territori mirëpret bashkëpunimin me kombet e tjera, kjo duhet të bëhet me respekt për grenlandezët dhe vlerat e tyre.
























