Qytetarët e Prishtinës thonë se po përballen me pritje të gjata në stacionet e autobusëve urbanë, duke e bërë të vështirë lëvizjen e përditshme, veçanërisht gjatë orëve të pikut. Derisa Komuna e Prishtinës premton zgjidhje përmes autobusëve të rinj dhe shtimit të linjave, ekspertët vlerësojnë se këto masa nuk janë të mjaftueshme pa krijimin e traseve të veçanta për transportin publik.

 

Sipas Komunës së Prishtinës, aktualisht në kryeqytet operojnë rreth 172 autobusë urbanë, të cilët shërbejnë mbi 30 linja që lidhin lagjet dhe zonat më të largëta me qendrën e qytetit. Megjithatë, qytetarët vlerësojnë se ky numër nuk është i mjaftueshëm dhe tregojnë për problemet me të cilat përballen sidomos gjatë orëve të pikut.

“Përditë përballemi me problemin e transportit. Ka shumë ngarkesë, sidomos në linjën katër për Bregun e Diellit. Mund të them se, kur shkoj në punë dhe kur përfundon orari pas orës katër, shpesh nuk ka vend për të hipur në autobus, e të mos flasim për t’u ulur”, deklaroi një qytetar.

“Ka shumë pak autobusë dhe janë shumë të mbushur, sidomos në mëngjes dhe në mbrëmje”, th një tjetër qytetar.

“…kur kthehemi nga puna apo shkolla. Kur përfundoj mësimin dhe kthehem nga shkolla me autobus, shpesh nuk ka vend për të hyrë brenda”, deklaroi ndërkaq një nxënës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka thënë Radio Kosovës se shumë shpejt pritet të arrijë një kontingjent i ri prej 30 autobusësh, duke theksuar se kjo është vetëm një nga masat për përmirësimin e transportit publik.

“Kjo është nën menaxhimin e ndërmarrjes ‘Trafiku Urban’, por me sa di unë, tash janë në fazën e fundit. Faktikisht, tenderi më duket se veçse është hapur dhe brenda gjashtë muajve do të duhej t’i kishim 30 autobusët e rinj të trafikut urban. Ndërkohë, ne kemi nënshkruar kontrata edhe me 28 operatorë privatë, kështu që do t’i kemi më shumë se 100 autobusë të rinj nga sektori privat, gjë që do ta transformojë përvojën në trafikun urban në kryeqytet”, tha ai.

Ekspertët e komunikacionit paralajmërojnë se, megjithëse këta autobusë pritet të sjellin përmirësime të dukshme, ata nuk do të jenë të mjaftueshëm për ta zgjidhur plotësisht problemin.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, i tha Radio Kosovës se zgjidhja afatgjatë mund të arrihet vetëm përmes krijimit të traseve të veçanta për autobusët e transportit publik.

“Transporti publik në Prishtinë është problem. Është problem i menaxhimit dhe i investimit në transport. Mund të shtohen edhe 100 autobusë të tjerë, por prapë do të operohet në të njëjtat rrethana. Traseja rrugore për mjetet e transportit duhet të jetë ekskluzivisht për transportin urban të udhëtarëve, ndërsa mjetet e tjera mund të përdorin rrugët përcjellëse ose të jenë të dedikuara për intervenime të shpejta dhe taksi”, tha Dedaj.

Gjatë këtij viti, Prishtina ka nisur disa hapa drejt modernizimit të sistemit të transportit urban, me ndryshime që synojnë përmirësimin e cilësisë, qasshmërisë dhe funksionimit të shërbimit. Në fillim të këtij viti, Komuna e Prishtinës vendosi të unifikojë sistemin e transportit publik, duke bërë që edhe autobusët privatë të operojnë me të njëjtat çmime si trafiku publik i ndërmarrjes “Trafiku Urban”.

Related Posts