“Kohët kanë ndryshuar”: Ushtria gjermane kërkon rekrutë, ndërsa përballet me një epokë të re
Teksa të rinjtë përballen me rregulla të reja që i detyrojnë të deklarojnë gatishmërinë për shërbim, Bundeswehri kërkon mbështetje në panaire dhe ngjarje publike.
Ulur në brendësinë e ngushtë të një mjeti të blinduar Panzerhaubitze 2000, Tom, 20 vjeç, dëgjon me vëmendje çdo fjalë të Achim-it, një oficer i Ushtrisë gjermane, i cili u shpjegon nxënësve, me entuziazëm, funksionimin e asaj që ai e quan “tanku më modern në botë”.
“Çfarë dëmi do të prisje të shkaktonte municioni i tij?”, pyet Tom.
“Një predhë standarde ka një rreze veprimi prej 30 kilometrash dhe gjithçka brenda një rrezeje 100 metrash do të ishte një goditje direkte”, përgjigjet Achim. Nxënësit shkëmbejnë shikime të habitura.
Ata ndodhen në një vizitë në Motor Show në Essen, në Gjermaninë perëndimore, ku mes shumë ekspozuesve është edhe Bundeswehri – Ushtria gjermane – që prezanton pajisjet e saj: nga motorë katër-rrotësh dhe transportues të blinduar armësh, te pajisje VR dhe madje edhe një makinë sportive Porsche në ngjyrë kaki. Qëllimi është të bindë një audiencë kryesisht mashkullore, të të gjitha moshave, për përfitimet e saj si punëdhënës.
Bundeswehri ndodhet në një fushatë rekrutimi në përmasa që nuk janë parë prej dekadash. Sipas ekspertëve, numri i Ushtrisë profesionale duhet të rritet me rreth 80 mijë trupa, duke arritur në 260 mijë brenda 10 viteve të ardhshme, ndërsa rezervistët duhet të shtohen me 140 mijë, në rreth 200 mijë, në një afat të ngjashëm kohor.
Një angazhim intensiv publik shihet si i domosdoshëm. Synimi është të bindet një shoqëri që për dekada e ka përkufizuar veten përmes pacifizmit, për shkak të plagëve të epokës naziste, se roli i ushtrisë është kryesisht mbrojtja e ekonomisë më të madhe të Evropës dhe se ushtarët nuk janë nxitës lufte, por qytetarë me uniformë.
Nga 1 janari, djemtë që mbushin 18 vjeç do të duhet të plotësojnë një pyetësor për të vlerësuar përshtatshmërinë e tyre për shërbim ushtarak. Brenda rreth dy vitesh, ata pritet t’i nënshtrohen një kontrolli të detyrueshëm shëndetësor, në mënyrë që autoritetet të kenë të dhëna se kush mund të mobilizohet në rast nevoje për një luftë në shkallë të gjerë.
Për të tërhequr më shumë vullnetarë, pagat në Ushtri do të rriten, ndërsa rekrutët do të kenë akses në kurse gjuhësh, patenta të subvencionuara, udhëtime falas me tren në klasën e dytë (kur janë me uniformë) dhe mundësi për të marrë kualifikime të reja.
Panairi i motorëve është vetëm një nga vendet ku Bundeswehri po përpiqet të joshë rekrutë të rinj. Ai po hap “lounge karriere” në të gjithë vendin – nga stadiumet sportive dhe eventet e hipizmit, te parkimet e supermarketeve dhe ndalesat e kamionëve – si dhe organizon “ditë zbulimi” dhe “ditë për vajza” në kazerma dhe qendra stërvitore.
Jashtë mjetit të blinduar, Tom, një mekanik i ri makinash nga një shkollë profesionale në Aachen, thotë se ka pak nevojë për bindje. “Jam në fazën përfundimtare të praktikës sime dhe kam vendosur të bashkohem me parashutistët për të mbrojtur vendin tim,” thotë ai.
Luca, 21 vjeç, specialist IT nga afër Koblenzit, ndërsa admiron makinën garuese të ushtrisë, thotë se e ka të vështirë të kuptojë pse Gjermania pezulloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011, pikërisht kur ai nisi shkollën. Arsyeja politike ishte se, pas përfundimit të luftës së ftohtë, ai nuk ishte më i nevojshëm. Por, sipas tij, sidomos pas sulmit të plotë të Vladimir Putinit ndaj Ukrainës në vitin 2022, “është shumë e qartë se sa shumë na duhet. Ishte një vendim shumë dritëshkurtër”.
Heqja e shërbimit të detyrueshëm shkatërroi edhe infrastrukturën e rekrutimit, e cila tani po rindërtohet me kosto të lartë dhe me shumë kohë.
Luca do të ishte pro një viti shërbimi të detyrueshëm për të gjithë. Ai thotë se do të ishte “i gatshëm të mbrojë Gjermaninë”, por jo “të shkojë jashtë vendit për të sulmuar një shtet tjetër”.
Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë të rinj po dorëzojnë paraprakisht deklarata kundërshtimi për arsye ndërgjegjeje, në rast se shërbimi i detyrueshëm rikthehet. “Unë personalisht nuk do të shkoja deri aty,” thotë Luca. “Nuk do të dija si ta justifikoja. Por, nga ana tjetër, nuk mendoj se mund të detyrosh dikë të shërbejë”.
Jennifer dhe Matthias Schleicher, montues ashensorësh nga Erkelenz, shikojnë djalin e tyre pesëvjeçar, Erik, teksa ngjitet mbi një motor katër-rrotësh terreni. “Është koha që ushtria jonë të forcohet,” thotë Jennifer, duke iu referuar miliardave euro të investuara nga qeveria e mëparshme dhe premtimit të Gjermanisë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 3.5% të PBB-së deri në vitin 2029.
“Kemi shpenzuar shumë dhe për shumë kohë për sistemet mbrojtëse të të tjerëve, duke neglizhuar tonat. Është e drejtë të korrigjojmë këtë dhe të bëhemi gati për luftë”, shton ajo.
Si më shumë se 50% e gjermanëve, ajo dhe bashkëshorti i saj janë pro rikthimit të shërbimit të detyrueshëm, ndonëse 63% e të rinjve janë kundër. “Kohët kanë ndryshuar, dhe bashkë me to edhe qëndrimet”, thotë ajo. E nëse djali i saj Erik do të thirrej për të luftuar? “Si nënë, sigurisht që është e vështirë, por nuk mund ta mbaj jashtë nëse bëhet e nevojshme. Të njëjtat rregulla duhet të vlejnë për të gjithë”.
Rekrutues të trajnuar posaçërisht janë të pranishëm për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje. Marco, i cili mbikëqyr stendën e Bundeswehr-it, thotë se Motor Show në Essen i lejon Ushtrisë të arrijë më shumë se 200 mijë vizitorë për 10 ditë. Interesi është rritur ndjeshëm që nga hera e parë që morën pjesë, në vitin 2007.
“Atëherë njerëzit pyesnin: ‘Pse jeni këtu?’,” thotë ai. “Sot, me ndryshimin e situatës së sigurisë, njerëzit janë më të gatshëm të bisedojnë me ne dhe të thonë: ‘Faleminderit për shërbimin tuaj.’”
Achim, operatori i tankut, iu bashkua ushtrisë në vitin 2006, pak para se të mbushte 18 vjeç. “U regjistrova me një Muttizettel [letër miratimi nga nëna],” thotë ai me shaka. Pas misioneve në Norvegji, Liban dhe Francë, ai thekson se kurrë nuk ka qenë i motivuar nga dëshira për luftë, por nga ideja për të kontribuar në një parandalim të tillë “që askujt të mos i shkojë ndër mend të na sulmojë ne dhe demokracinë tonë”.
“Kjo”, thotë ai, “besoj fort se ka ndihmuar në ruajtjen e paqes për më shumë se 70 vjet”.
























