Reshjet e dendura të dëborës në Poloni kanë shkaktuar bllokime deri në 20 km në një autostradë midis kryeqytetit Varshavë dhe qytetit portual Gdansk gjatë natës, njofton policia të mërkurën.
Situata la qindra njerëz të bllokuar në veturat e tyre në temperatura nën zero, por deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës trafiku u normalizua, sipas autoriteteve.
“Situata e vështirë filloi dje pas orës 16:00, kur kamionët e parë në rrugën S7 filluan të kishin probleme në afrimin e shpateve”, ka deklaruar Tomasz Markoëski, zëdhënës i policisë në qytetin verior Olsztyn.
Ai shtoi se: “Kjo ka çuar në një bllokim trafiku që shtrihej afërsisht 20 kilometra gjatë natës”.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Stanislaë Bukoëiec, tha në një konferencë për shtyp se askush nuk kishte pësuar lëndime nga kjo situatë e vështirë në rrugë.
Anna Karczeëska, zëdhënëse e policisë në Ostroda, njoftoi se oficerët ishin përpjekur të ndihmonin shoferët e bllokuar. Ostroda ndodhet rreth 40 km në perëndim të Olsztyn dhe shtrihet përgjatë autostradës së prekur.
Agjencia shtetërore e lajmeve PAP raportoi se kishte pasur ndërprerje edhe në hekurudha dhe aeroporte, por shërbimet po riktheheshin gradualisht në normalitet.






























