Një mesazh i thjeshtë në telefon dhe një klikim në një link të rremë – mjaftuan që dhjetëra qytetarë të Kosovës të bien pre e një skeme të sofistikuar mashtrimi online.

Në fillim të janarit të këtij viti, hakerë të huaj, që dyshohet se veprojnë nga Indonezia dhe Singapori, kanë dërguar mesazhe mashtruese në numra telefonikë të qytetarëve kosovarë, me synimin për të vjedhur të dhënat e tyre personale dhe bankare.

Objektivi kryesor i këtij mashtrimi ishte marrja e informacioneve sensitive, përfshirë numrin e telefonit, adresën e banimit, emailin dhe të dhënat e llogarive bankare.

Sipas burimeve, në shumë raste mashtruesit jo vetëm që kanë arritur t’i sigurojnë këto të dhëna, por edhe t’i keqpërdorin ato – qoftë duke i shitur në tregun ilegal online, apo duke vjedhur drejtpërdrejt shuma të konsiderueshme parash nga xhirollogaritë e viktimave.

Mashtrimi u realizua përmes një platforme të rreme, e cila paraqitej si faqe zyrtare e një banke që operon në Kosovë. Qytetarëve u kërkohej “përditësimi i të dhënave bankare”, duke krijuar përshtypjen e një procesi të domosdoshëm sigurie.

Ky mesazh shërbeu si karrem për qytetarët, të cilët, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun, klikonin në link dhe dorëzonin të dhënat e tyre personale. Për këtë rast reagoi edhe banka në fjalë, e cila paralajmëroi se klientët e saj po shënjestroheshin nga këta mashtrues ndërkombëtarë.

Megjithatë, ky paralajmërim nuk rezultoi i mjaftueshëm. Sipas raportimeve, mashtruesit ia kanë arritur qëllimit. Në Prishtinë është raportuar rasti i një gruaje që ka humbur mijëra euro si pasojë e këtij mashtrimi.

Shuma e saktë e parave të vjedhura nga qytetarët e Kosovës ende nuk dihet. Përveç vjedhjes së parave, në raste të tjera kur mashtruesit kanë siguruar vetëm të dhëna si numri i telefonit apo emaili, këto informacione përdoren për t’u shitur kompanive të ndryshme, përfshirë qendrat e thirrjeve (call center).

Të dhënat personale përfundojnë më pas në shitje në platforma të njohura ilegale, përfshirë dark web, por edhe në faqe të ndryshme rajonale për shitblerje online.

Nuk dihet me siguri nëse këto të dhëna shiten realisht apo përdoren si mashtrim i radhës, por ekspertët nuk e përjashtojnë asnjërën nga këto mundësi.

Dhjetëra llogari të dyshimta kanë publikuar shpallje të ngjashme, duke ofruar të dhëna personale të qytetarëve evropianë, kryesisht për nevoja të kompanive të qendrave të thirrjeve.

 

Related Posts