Shaqir Totaj ka reaguar për herë të parë për manipulimet zgjedhore në Prizren. Kryetari i komunës ka thënë se do të kërkojë llogaridhënie për çdo shkelje të bërë.

“Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me parregullsitë e evidentuara nga procesi i rinumërimit të votave në Prizren. Çdo tentim për tjetërësim të votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake.

Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona.

Siguroj qytetarët se Partia Demokratike e Kosovës di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar si gjithmonë me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij. Parregullsitë e shfaqura tek të gjitha partië, diku me shume e diku më pak, kërkojnë edhe një rivlerësim të terësishëm nga KQZ-ja dhe institucionet përkatëse të procesit të numërimit dhe menaxhimit të kujdesshëm që të ruhet deri në fund mbaravajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve”, shkruan Totaj në reagim.

Related Posts