Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka realizuar sot një operacion policor në katër lokacione të ndryshme.
Kontrollet janë zhvilluar në dy shtëpi/banesa private, një lokal afarist dhe një zyrë, në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshime për përfshirje në vepra penale të korrupsionit. Sipas Policisë, gjatë hetimeve janë aplikuar masa të veçanta hetimore, përmes të cilave janë siguruar dëshmi të mjaftueshme që dyshohet se provojnë veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe “marrjes së ryshfetit në sektorin privat”, transmeton Rilindjashqiptare.
Lidhur me këtë rast, nën hetim janë katër persona të dyshuar, tre meshkuj dhe një femër, shtetas të Republikës së Kosovës. Dyshohet se të njëjtit kanë marrë ryshfet nga persona të ndryshëm, të cilët janë pajisur me certifikata për leje të armës pa prezencën e tyre fizike, në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe procedurat e parapara.
Gjatë kontrollit policor janë sekuestruar përkohësisht shtatë telefona celularë, si dhe dosje dhe dokumente relevante që ndërlidhen me rastin. Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje për një periudhë deri në 48 orë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me organet e drejtësisë, ndërsa rasti do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi./Rilindjashqiptare/
























