Të hënën një grup qytetarësh të Kosovës kanë ftuar protestë kundër reduktimeve të rrymës, ku kërkesa kryesore është shkarkimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Veç kësaj, ata i kanë edhe dy kërkesa, rrymë 24 orë në shtatë ditë, si dhe “nacionalizimin e KEDS-it”.
Ky grup, thirrjen për protestë e ka bërë në rrjetin social Facebook, derisa po ftohen të gjithë qytetarë të të dalin në protestë, e cila mbahet më 27 dhjetor, përcjell Demokracia.com.
“KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike. Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë”, thuhet në këtë shkrim.
Njoftimi i plotë:
Ftojmë të gjithë qytetarët/et e Kosovës të na bashkohen në protesta mbarëkombëtare kundër manipulimeve dhe papërgjegjësisë të vazhdueshme të KEDS ndaj qytetarëve të Kosovës.
KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike. Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë.
KEDS-i, distributor kryesor i energjisë elektrike në Kosovë, është duke dështuar që t’i përmbushë obligimet e saj për furnizim 24/7 të të gjithë/a qytetarëve/eve duke na lënë në errësirë. Në anën tjetër, këtë dështim Qeveria është duke na e faturuar neve, duke e subvencionuar KEDS-in me 20 milionë euro nga paraja publike.
Kjo krizë përveç që është duke e paralizuar çdo aspekt të funksionimit shoqëror dhe ekonomik, është duke treguar që shërbimet esenciale nuk duhet të lihen në duar të sektorit privat. Andaj, të hënën, duke filluar nga ora 13:00, mblidhemi pranë KEDS-it në protestë ndaj kësaj gjendjeje alarmante dhe kërkojmë:
1. Rrymë 24/7;
2. Shkarkim të Ministres Rizvanolli;
3. Nacionalizimi i KEDS-it
Protesta nisë pranë objektit të KEDS-t për të vazhduar tek ndërtesa e Qeverisë.