Vetëm pak muaj pasi Lumir Abdixhiku e kishte quajtur “qyqan” dhe kishte paralajmëruar se do ta përjashtonte nga LDK-ja për shkak të marrëveshjes pas shpinës së tij që kishte bërë me Vetëvendosjen për balotazhin në Vushtrri, Xhafer Tahiri i ka ofruar mbështetjen shefit pasi i rezistoi votëbesimit.
Në një postim në Facebook, ka thënë se si delegat i kanë dhenë votën Abdixhikut sepse LDK-së i duhet stabilitet e jo përqarje.
“Sot në Kuvendin e LDK-së u konfirmua kryetari”, ka shkruar Tahiri.
“Nuk e dhamë votën nga emocioni, as nga frika, e as nga inati por nga dashnia për LDK. E dhamë këtë mbështetje pa kushte sepse LDK-së i duhej stabilitet, jo një përçarje e re”, ka thenë ai.
“Nga sot, përgjegjësia është e dyfishtë: për të ndërtuar unitet real dhe për ta kthyer LDK-në në besimin e qytetarëve. Ne e bëmë tonën. Tani radha është për punë”, ka thenë Tahiri.
Ndërkaq, Abdixhiku kishte paralajmëruar se do të merrte masa për shkak se Tahiri kishte arritur marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen, e këtë e kishte bërë në prani të Albin Kurtit.
Abdixhiku kishte thënë se nuk i kishte dhenë leje për këtë koalicion dhe se do të merreshin masa pas balotazhit.
Këtë deri më tani nuk e ka bërë.
























