Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Fushë Kosovë, ku dy të mitur janë sulmuar, njëri prej tyre duke u therur me thikë dhe duke përfunduar në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ngjarja ka ndodhur më 1 shkurt 2026, rreth orës 20:15, në rrugën “Pajazit Islami”. Fillimisht, Policia ka pranuar informatën se një person ishte therur në rrugën “Nënë Tereza”, por pas verifikimeve është konfirmuar se rasti ka ndodhur në adresën e lartcekur.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima kryesore është i mituri A.S., i lindur në vitin 2010, i cili është therur me thikë dhe është dërguar me urgjencë në QKUK. Për shkak të gjendjes së rëndë, ai është nënshtruar intervenimit kirurgjik. Sipas mjekëve kujdestarë, pas operimit gjendja e tij është stabilizuar dhe aktualisht po trajtohet në repartin në QKUK, nën sigurimin e Policisë.

Në këtë rast është lënduar edhe një tjetër i mitur, D.M., i lindur në vitin 2009, i cili është goditur me grushte, por fatmirësisht nuk ka pasur nevojë për tretman mjekësor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, Njësia e Hetimeve dhe NJHP. Sipas informatave nga burimet, katër persona të dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht ndodhen në arrati, ndërsa identiteti i tyre ende nuk është konfirmuar.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve janë në zhvillim e sipër.

Related Posts