Raportohet se një shtetas 57-vjeçar nga Kosova që pretendonte se ishte “sheh-imam” është dënuar nga Gjykata e Dietikonit, afër Cyrihut, me 3 vjet e gjysmë burgim dhe ndalim hyrjeje në Zvicër për një periudhë trevjeçare, nën dyshimin për organizim të një skeme të gjerë mashtrimi financiar.
Sipas mediave zvicerane, i dënuari, i cili prezantohej si udhëheqës fetar dhe pretendonte se drejtonte mijëra besimtarë, akuzohet se kishte ndërtuar një sistem mashtrimi duke përfshirë anëtarë të familjes dhe bashkëpunëtorë të afërt. Prokuroria vlerësoi se nga veprimet e tij është shkaktuar një dëm financiar prej rreth 1.5 milion frangash zvicerane.
Hetimet nisën pas një bastisjeje në një vilë luksoze pranë Cyrihut, për të cilën i akuzuari paguante rreth 24 mijë franga qira në muaj. Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan dokumente dhe pajisje elektronike, ndërsa zbuluan edhe një rrjet kompanish fiktive që dyshohet se përdoreshin për përfitime të paligjshme.
Sipas prokurorisë, 57-vjeçari paraqitej si sipërmarrës në sektorin e patundshmërive dhe dyshohet se ka mashtruar institucionet financiare dhe shtetin zviceran përmes dokumenteve të falsifikuara, përfshirë përfitimin e mbi gjysmë milioni frangash nga kreditë emergjente gjatë pandemisë COVID-19, raporton Albinfo.ch.
Rasti ka tërhequr vëmendje edhe për stilin luksoz të jetesës së familjes, e cila, sipas hetimeve, kishte në përdorim rreth 120 automjete, përfshirë vetura të markave luksoze. Po ashtu, autoritetet kanë konstatuar shpenzime të konsiderueshme për targa të veçanta, të cilat në Zvicër konsiderohen simbol prestigji dhe shiten në ankande.
Gjatë procesit gjyqësor që zgjati gjashtë ditë, gjykata vendosi që shumica e anëtarëve të familjes, përfshirë ish-bashkëshorten dhe katër fëmijët, të liroheshin nga akuzat ose të dënoheshin me masa minimale. Sipas arsyetimit të gjykatës, struktura familjare ishte e organizuar në mënyrë patriarkale dhe vendimmarrja financiare kontrollohej nga kryefamiljari.
Disa nga fëmijët dëshmuan se kishin nënshkruar dokumente pa njohuri për përmbajtjen e tyre, ndërsa për shkak të paraburgimit, dy prej tyre pritet të kompensohen financiarisht nga shteti zviceran.
Gjatë seancave gjyqësore, i dënuari kërkoi falje dhe deklaroi se kishte përdorur familjarët në biznes për të mos u paraqitur publikisht si pronar. Megjithatë, gjykata vlerësoi se veprimtaria e tij kriminale ishte e vazhdueshme dhe se dënimet e mëparshme nuk kishin ndikuar në ndryshimin e sjelljes së tij. Njëri nga bashkëpunëtorët është dënuar me kusht, ndërsa për tjetrin vendimi pritet të merret në vijim.























