Organizata ndërkombëtare joqeveritare “Human Rights Watch”, në raportin për Kosovën për vitin 2025 ka paraqitur gjendjen në disa fusha. Sa i përket lirisë së mediave, thuhet që sulmet kanë vazhduar me gazetarë që u përballën me kërcënime, sulme dhe ngacmime.

“Human Rights Watch vuri në dukje rritjen e ndërhyrjeve politike, fushatat shpifëse, qasjen e kufizuar në informacion, rregullimin abuziv dhe mbrojtjen e dobët të gazetarëve”, thuhet në raport.

Në raport citohen shifrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës ku u regjistruan 54 incidente kundër gazetarëve, përfshirë një sulm fizik, një kërcënim me vdekje dhe 15 raste të ngacmimeve, gjuhës së urrejtjes ose fushatave shpifëse, kryesisht nga figura politike.

Gjithashtu përmendet edhe që Reporterët pa Kufij (RSF) e renditën Kosovën në vendin e 99-të nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025, një rënie prej 24 vendesh nga viti i kaluar, duke e bërë atë më të ultën në rajonin e Ballkanit të BE-së.

Në raport përmendet edhe bllokada disa mujore e institucioneve të Kosovës dhe gjithashtu edhe se si Raporti i Zgjerimit i Komisionit Evropian i muajit nëntor, ngriti shqetësime për ndikim të padrejtë politik mbi gjyqësorin.

Në raport thuhet gjithashtu se edhe tensionet në veri të Kosovës kanë vazhduar, duke theksuar që janë kryer bastisje policore në institucionet me shumicë serbe, të cilat shkaktuan protesa.

Sa i përket Orientimit Seksual dhe Identitetin Gjinor, në raportin e “Humans Rught Watch”, thuhet që Qeveria ka dështuar të miratojë planet e paralajmëruara në maj të vitit 2024 për legalizimin e bashkësive civile të të njëjtit seks.

“Gjatë zgjedhjeve parlamentare të Kosovës në shkurt 2025, partitë politike shpesh përdorën retorikë diskriminuese dhe denigruese ndaj personave, lesbike, gay, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT), dhe kryesisht i injoruan çështjet që i prekin ata”, thuhet për këtë pjesë.

Tutje thuhet se nuk është bërë asnjë përparim as në ofrimin e kërkimfaljeve për romët e Kosovës të zhvendosur nga OKB-ja në kampe tashmë të mbyllura, pas luftës së vitit 1999.

Related Posts