Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbyll përkohësisht 26 motele dhe vila në Kosovë

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka realizuar një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës.

Qëllimi i këtij aksioni ka qenë sigurimi i respektimit të standardeve ligjore, mbrojtja e konsumatorëve, garantimi i konkurrencës së ndershme në treg, si dhe verifikimi i përmbushjes së obligimeve ligjore nga ana e subjekteve ekonomike.

Gjatë aksionit janë inspektuar gjithsej 69 subjekte ekonomike, me fokus të veçantë në sektorin e hotelerisë dhe turizmit, përkatësisht në vila dhe motele që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Republikës së Kosovës.

Si rezultat i inspektimeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në përputhje me kompetencat ligjore, ka vendosur mbylljen e përkohshme të 26 subjekteve ekonomike, për shkak të mosregjistrimit të bizneseve dhe mungesës së pëlqimit apo aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike.

Po ashtu, ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtari në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, janë shqiptuar 27 masa ndëshkuese.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, ka bërë të ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe krijimit të një mjedisi të sigurt dhe të rregullt për zhvillimin e veprimtarive ekonomike në Kosovë.

Related Posts