Xhafer Tahiri, Mytaher Haskuka, Shpend Ahmeti, Rufki Suma, Agron Kuçi, Qëndron Kastrati, Agim Bahtiri, Bekim Jashari, Haki Rugova dhe Lutfi Haziri, janë politikanët që në vitin që po lëmë pas mbetën pa ulësen e kryetarit të komunës.
Disa prej tyre nuk garuan fare për postin e kryetarit, e disa të tjerë humbën garën për të fituar edhe një mandat për të udhëhequr komunën e tyre.
Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet lokale 2021 u mposhtë nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferit Idrizi.
Tahiri humbi në raundin e dytë të zgjedhjeve, duke fituar vetëm 46,81% të votave.
Tahiri është anëtar i Kryesisë së LDK-së, ndërkaq nuk është deklaruar nëse do të merret me aktivitete tjera pas humbjes në zgjedhje.
Mytaher Haskuka i cili ishte në krye të Komunës së Prizrenit për një mandat 4 vjeçar, nuk e mori besimin e qytetarëve që të udhëheq komunën edhe për një mandat tjetër.
Kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje u mposhtë nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Tota, transmeton Telegrafi.
Ai dhe Totaj u ballafaquan në balotazh i cili u mbajt më 14 nëntor. Haskuka mori vetëm 49.07% të votave, kurse Totaj fitoi postin e mandatit me 50,93% të votave.
Haskuka aktualisht është kryetar i Degës së LVV-së në Prizren, dhe po ashtu profesor universitar.
Pas tetë vitesh udhëheqje në Komunën e Prishtinës, Shpend Ahmeti, u largua nga posti i kryetarit, duke dorëzuar mandatin te kryetari i ri i kryeqytetit, Përparim Rama ( LDK).