Në mes të ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Xhamisë së Gurit, planifikohet të ndërtohet një nënkalim për vetura e mbi memoriali përkujtimor kushtuar komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka hapur edhe njëherë një tender, që pret ofertues për projektimin e ndërtimit të këtij memoriali përkujtimor.
Në aneksin e dosjes së tenderit, janë edhe specifikimet teknike që janë të detyrueshme për operatorët ekonomik që aplikojnë.
Tek tregohet për historinë e familjes Jashari, aty shkruhet edhe për përafrimet e këtij projekti me vizionin e kryetari të komunës, Përparim Rama.
“Përafrimi me vizionin e kryetarit Përparim Rama: Ky projekt përputhet me vizionin e kryetarit Rama për një Prishtinë bashkëkohore, gjithëpërfshirëse dhe një fener të trashëgimisë kulturore. “Memoriali përkujtimor kushtuar familjes Jashari” do të kontribuojnë në këtë vizion duke: Ruajtur Kujtesën Historike: Nderimi i trashëgimisë së një ngjarjeje kyçe në historinë e Kosovës. Promovimi i vlerave universale: Memoriali bashkë ma hapësirën publike përreth shërben për shenjëzimin në kohë dhe hapësirë të sakrificës për vlerën universale për të jetuar të lirë. Përmirësimi i peizazhit urban: Integrimi i memorialit në strukturën urbane të Prishtinës, duke krijuar një hapësirë publike tërheqëse dhe të qasshme”.
Drejtori për transformim në komunën e Prishtinës, Gezim Kastrati tha se ky projekt pritet të marr formë, sapo që niveli qendror të jap dritën e gjelbër për rrugën “Agim Ramadani”.
“Nënkalimi është i paraparë të kryhet prej 8 deri në 12 muaj, mirëpo ne jemi në pritje që 1.5 vit dhe mendoj që me rregullimin e sheshit dhe hapësirën e e nënkalimit do ta kemi sheshin mbi varësisht prej propozimeve që do të vijnë ka me qenë një shesh që do e tregoj trashëgimin, atë gjenocid që ka ndodhë na familjen Jashari”, ka theksuar Gezim Kastrati – Drejtor për Transformim.
Kastrati tregoi gjithashtu pse herën e parë dështoi tenderi.
“Do ta kemi pjesën e sipërme që është paraparë dhe për të dytën herë është shpallë konkursi ndërkombëtar, sepse herën e parë kemi marr një numër të vogël të konkurruesve dhe zgjidhjet nuk kanë qenë të mjaftueshme, me gjithë respektin për konkurruesit tani jemi duke e pritur një projekt i cili do ta përfaqësoj apo do ta tregojë të gjithë atë që ka ndodhë në Prekaz”, ka deklaruar Kastrati, shkruan RTVDukagjini.
Shuma totale për këtë projekt, është 150 mijë euro, e vetëm kontrata për hartimin e projektit kryesore, do të jetë 125 mijë euro.























