Ambicia e Elon Musk për të vendosur njerëz në Mars duket se është shtyrë për shkak të një qëllimi më të afërt dhe më të arritshëm dërgimin e njerëzve për të jetuar në Hënë.
Miliarderi ka deklaruar se prioritetet e SpaceX tani janë përqendruar në ndërtimin e “një qyteti që rritet vetë në Hënë”, duke theksuar se ky projekt mund të përfundojë brenda një dekade, shumë më shpejt se planifikimi i ngjashëm për Mars që mund të marrë mbi 20 vjet.
“Prioriteti kryesor është sigurimi i së ardhmes së qytetërimit dhe Hëna është më e shpejtë”, tha Musk.
“Është e mundur të udhëtosh në Mars vetëm kur planetët rreshtohen çdo 26 muaj (kohëzgjatja e udhëtimit gjashtëmujor), ndërsa ne mund të nisemi për në Hënë çdo 10 ditë (kohëzgjatja e udhëtimit 2-ditor)”, shtoi ai.
Nuk është menjëherë e qartë se çfarë nënkuptonte Musk me një “qytet që rritet vetë” ose nëse planet e tij janë në përputhje me një plan të ngjashëm hënor që propozon NASA.
Musk deklaroi se kompania mbetet e përkushtuar për të ndërtuar një qytet në Mars dhe do të fillojë ta bëjë këtë brenda rreth pesë deri në shtatë vjetësh.
Kohët e fundit, miliarderi kishte thënë se SpaceX po punonte për të ulur anijen e saj të parë kozmike pa pilot në Mars, që në fund të vitit 2026 .
Ulja e parashikimeve të tij të mëparshme për udhëtimet në hapësirë nga Musk vjen pasi SpaceX bleu XAI javën e kaluar, në një veprim që do të bashkojë dy nga kompanitë e tij më ambicioze në firmën private më të vlefshme në botë.
Për më shumë se një dekadë, Musk e ka bërë të qartë fokusin e tij të madh në krijimin e një vendbanimi në Mars, duke thënë se ky ka qenë qëllimi kryesor i SpaceX që nga themelimi i kompanisë në vitin 2002.
Në fjalimet e mbajtura në konferenca dhe ngjarje hapësinore për punonjësit e SpaceX, ai ka detajuar plane ambicioze për krijimin e një pranie të përhershme njerëzore në Planetin e Kuq, duke thënë se një hap i tillë është i nevojshëm për të siguruar që një koloni njerëzish të mund të mbijetojë një apokalips të mundshëm.
NASA, në të kundërt, është përqendruar në ambiciet e saj hënore, veçanërisht që nga mandati i parë i presidentit Donald Trump, kur zëvendëspresidenti i atëhershëm Mike Pence deklaroi papritur se SHBA-të do t’i kthenin astronautët e tyre në hënë deri në vitin 2024.
Plani i guximshëm nuk funksionoi dhe NASA aktualisht po punon për të rikthyer astronautët në sipërfaqen hënore deri në vitin 2028 afati kohor për të cilin agjencia kishte punuar në epokën e Obamës.
Ky kthim do të shënojë herën e parë që njerëzit kanë shkelur në Hënë që nga përfundimi i programit Apollo në vitin 1972.























