Mungesa e barnave në kujdesin parësor shëndetësor në Prishtinë po vazhdon të mbetet një shqetësim serioz, për shumë qytetarë.
Pacientët që frekuentojnë qendrat e mjekësisë familjare ankohen se shpesh nuk i gjejnë barnat esenciale që u përshkruhen nga mjekët, duke i detyruar t’i blejnë ato në barnatore private.
Kjo situatë po rëndon veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta dhe personat me sëmundje kronike.
Ndërkohë, përfaqësues të institucioneve shëndetësore në Prishtinë kanë deklaruar se furnizimi me barna bëhet përmes procedurave të prokurimit dhe se herë pas here mund të ketë vonesa për shkak të tenderëve apo mungesës së ofertuesve.
Një gjendje e tillë sa i përket furnizimit me barna esenciale është edhe në komunën e Ferizaj.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Kemajl Emini, në një përgjigje me shkrim për Kanal 10, ka bërë të ditur se institucionet komunale janë duke ndërmarrë përpjekje për ta menaxhuar situatën.
Ndërkohë, qytetarët presin veprime konkrete dhe furnizim sa më të shpejtë me barna esenciale, në mënyrë që trajtimi i tyre të mos mbetet peng i procedurave administrative. Ata apelojnë për më shumë transparencë dhe koordinim institucional, duke theksuar se shëndeti publik duhet të jetë prioritet i padiskutueshëm.























