Atletja amerikane Annika Malacinski nuk do të ketë mundësinë të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, pavarësisht përgatitjeve shumëvjeçare. Arsyeja është tronditëse: gratë nuk lejohen të garojnë në sportin që ajo ushtron.
Malacinski merret me kombinimin nordik, një nga sportet më të vjetra olimpike, i cili ishte pjesë e programit që në Lojërat Olimpike Dimërore të para më 1924 në Chamonix. Ky sport kombinon kërcimin me ski dhe skijimin në terren të hapur.
Megjithatë, prej më shumë se një shekulli, garat e grave në kombinimin nordik nuk janë përfshirë në Lojërat Olimpike, dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nuk ka ndryshuar qëndrim as për edicionin e vitit 2026.
Në prag të Olimpiadës, IOC vendosi të mos prezantojë disiplinën e grave, duke arsyetuar se sporti “nuk është i zbatueshëm në kategorinë e femrave”. Si arsye u përmendën shikueshmëria e ulët dhe numri i kufizuar i vendeve pjesëmarrëse.
Ky vendim e ka goditur rëndë Malacinskin. Në një intervistë për revistën Self, ajo kujtoi momentin kur mori lajmin.
“Isha përgatitur për pesë vjet dhe ndihesha gati të bëja histori. Madje mendova t’i kërkoja stjuardesës një gotë shampanjë, duke pritur njoftimin zyrtar”.
“Në vend të kësaj, qava për tetë orë rresht. Teksa qëndroja ulur në avion, kuptimi se ëndrra ime do të mbetej e paarritshme edhe për katër vjet të tjera më shkatërroi plotësisht”, deklaroi ajo.
Për shkak të këtij vendimi, Malacinski do t’i ndjekë Lojërat Olimpike vetëm përmes televizionit – ku do të shohë edhe vëllanë e saj, i cili do të garojë pikërisht në kombinimin nordik, një disiplinë që për të mbetet ende e ndaluar.
























