Estonia thotë se Rusia nuk synon që të sulmojë ndonjë shtet të NATO-s më 2026 ose 2027
Rusia nuk ka për synim që të kryejë ndonjë sulm ushtarak ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s këtë vit ose vitin e ardhshëm, por po nxiton që t’i rindërtojë forcat e veta në kohën kur Evropa e ka shtuar armatosjen, tha të martën në raportin vjetor shërbimi i Estonisë për inteligjencë të jashtme.
Vendi anëtar i NATO-s, i cili kufizohet me Rusinë, ka qenë në mesin e kritikuesve më të ashpër të Moskës dhe mbështetës i fuqishëm i Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“[Evropa] duhet të investojë në mbrojtje dhe në sigurinë e brendshme, në mënyrë që… në të ardhmen Rusia do të arrinte në përfundimin se nuk ka gjasë kundër vendeve të NATO-s” – tha para gazetarëve drejtori i këtij shërbimi, Kaupo Rosin.
“Ne shohim se udhëheqja ruse është shumë e shqetësuar për… riarmatosjen evropiane, ata shohin se Evropa mund të jetë në gjendje që të kryejë veprim të pavarur ushtarak kundër Rusisë brenda dy ose tre vjetëve” – tha Rosin, duke shtuar se qëllimi i Rusisë tani është që “ta vonojë dhe ta pengojë” këtë.
Prodhimi i municionit është duke u zgjeruar aq shpejt, saqë Rusia do të jetë në gjendje që të rezervojë për luftëra të ardhshme, ndërkohë duke i vazhduar luftimet në Ukrainë, tha shërbimi i inteligjencës.
Sipas këtij shërbimi, çfarëdo sulmi rus ndaj Estonisë do të përfshinte dronë “në tokë, në ajër dhe në det, në të njëjtën kohë në mbarë territorin e Estonisë”.
Inteligjenca estoneze tha se Kremlini vazhdon që ta vlerësojë ShBA-në si armiken kryesore globale, përderisa shtiret sikur ka gatishmëri për të bashkëpunuar me qëllim që ta sigurojë heqjen e sanksioneve amerikane.























