Me rastin e shënimit të 18-të vjetorit, ditës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Policia e Kosovës bëri të ditur se hartoi plan të veçantë operativ për të siguruar mbarëvajtjen e ngjarjeve të parapara dhe të festës në këtë ditë.
“Bazuar në agjendën shtetërore, ku janë paraparë aktivitete të ndryshme, ndër to edhe parakalimi i FSK-së dhe PK-së, në disa segmente rrugore të kryeqytetit do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut rrugor si në vijim:
Ndërprerja e qarkullimit të trafikut pritet të fillojë nga ora 07:00 në rrugët operacionale, rruga “Fehmi Agani”, rruga “Luan Haradinaj”, rruga “Kostra Novakoviq”, rruga Tiranës – hekurudhës në kthim njëra korsi, si dhe rruga “Robert Doll” njëra korsi për parkimin e autobusëve dhe kamionëve për personelin e PK-së dhe FSK-së.
Me qëllim të shmangies së kolonave të mundshme dhe lehtësimit të qarkullimit të trafikut për aktivitetet e parapara, LUTEN qytetarët, pjesëmarrësit në trafik që të shmangin frekuentimin e këtyre rrugëve dhe të orientohen në rrugë alternative, ku për këtë do të kujdesen njësitë policore të trafikut.
Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik dhe njëherit i falënderon për bashkëpunimin e vazhdueshëm të treguar me PK-në”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.























