Një histori mbijetese, dhimbjeje dhe mrekullie vjen nga Gramoz Berisha, i cili 27 vjet pas një masakre që i mori 49 anëtarë të familjes, zbuloi se plumbi që kishte synuar t’ia merrte jetën, kishte qëndruar në trupin e tij për më shumë se dy dekada.

Ngjarja daton nga lufta në Kosovë, kur familja e tij u kap dhe u hodh në një kamion bashkë me trupat e pajetë. Gramoz Berisha, nëna e tij Vjollca dhe Shyhretja ishin të vetmit që arritën të kërcenin nga kamioni. Të tjerët, përfshirë motrën Dafina, vëllanë Driloni dhe babain Sedat, nuk ia dolën,

Në kamion kishte edhe të gjallë. Kishte thirrje për ndihmë. Por nuk kërcyen. Shkuan. Mbijetuam vetëm ne të tre”, rrëfen ai.

I plagosur në krahun e majtë, Gramozit ajo plagë i shpëtoi jetën. Ai arriti të shtirej si i vdekur kur u kapën pranë një picerie dhe u hodhën në kamion. Për vite me radhë u trajtua për plagën, ndërsa mjekët i kishin thënë se plumbi kishte rrëshqitur dhe nuk ndodhej më në trupin e tij.

Por para tre muajsh, në Shtutgart, ndjeu një dhimbje të fortë, kësaj radhe në krahun e djathtë.

“I bindur se nuk kishte lidhje me të kaluarën, iu drejtova mjekëve. Pas ekzaminimeve, nisën pyetjet ‘A keni qenë pjesë e ndonjë plaçkitjeje? A keni marrë pjesë në ndonjë shkëmbim zjarri?’ U tregova se jam i mbijetuar dhe ua dëshmova plagën në krahun e majtë”.

Pas analizave dhe fotografimeve, mjekët konstatuan diçka të jashtëzakonshme. Në krahun e djathtë të tij ndodhej plumbi i marrë 27 vjet më parë.

Sipas tyre, plumbi kishte depërtuar nga krahu i majtë në të djathtin, pa prekur asnjë organ vital, duke qëndruar i fshehur në trupin e tij për më shumë se dy dekada.

Për Gramoz Berishën, ky zbulim ka një domethënie më të thellë.

“Gjatë gjithë kësaj kohe paskam mbajtur me vete metalin që e mposhta që sot ta shijoj lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Rrëfimi i tij vjen në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, si një dëshmi e gjallë e mbijetesës dhe sakrificës së një familjeje që humbi pothuajse gjithçka, por jo shpresën.

Në një datë simbolike si 17 shkurti, historia e Gramoz Berishës rikujton plagët e së kaluarës, çmimin e lirisë dhe mrekullitë e heshtura të jetës.

Related Posts