Djali i të zhdukurit Xhavit Haziri, Çlirim Haziri, në marshin “Drejtësi, jo politikë” tha se nuk ka një varr ku mund të vendos lule për babain e saj, por ka një zë që harresa mos të ketë vend, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se lufta e UÇK-së ishte luftë për mbijetesë dhe dinjitet kombëtar.
“17 shkurti nuk është vetëm festë, është betim. Betim që nuk harrojmë sakrificën. Betim që nuk lejojmë të përbalten luftëtarët tanë. Betim që nuk e ulim kokën para padrejtësisë. Betim që e mbrojmë me dinjitet luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne sot ecim të lirë, por nuk do të ecim kurrë mbi harresë. Ne nuk jemi sot një turmë, jemi një zë që nuk blihet, nuk frikësohet, një zë që nuk do të ndalet. Ata që luftuan për këtë tokë nuk kërkuan pushtet, por liri, dhe liria nuk vihet në bankën e turpit. Lufta e UÇK-së ishte luftë për mbijetesë dhe dinjitet kombëtar. Sot marshojmë që të dëgjohet qartë: nuk do të lejohet që historia të shtrembërohet, nuk do të lejojmë që sakrifica të barazohet me faj, nuk do t’i lëmë vetëm heronjtë tanë në Hagë” , tha ai.
Haziri tha se katërshja e UÇK-së po vazhdon betejën për Kosovën larg familjeve.
“Ndërsa sot jetojmë ritmin e jetës në liri, udhëheqësit e luftës sonë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, po vazhdojnë betejën për Kosovën larg familjeve të tyre. Ne sot këtu nuk kërkojmë privilegj, nuk kërkojmë falje për luftën tonë; kërkojmë drejtësi të drejtë, që sakrifica jonë të mos njolloset. Marshojmë me dinjitet, sepse një popull që harron sakrificën e varfëron lirinë e vet. Po e them qartë: ne nuk e mbrojmë të kaluarën tonë nga frika, por nga dashuria dhe krenaria për të. Unë jam djali i Xhavit Hazirit, një heroi të zhdukur. Nuk kam varr ku të vendos lule, por kam zë që harresa mos të ketë vend”, tha Haziri.































