PLATFORMA QYTETARE “LIRIA KA EMËR” KA SHPREHUR MIRËNJOHJEN MË TË THELLË PËR ÇDO QYTETAR QË ISHTE SOT NË SHESH E QË IU BASHKUAN KËTIJ MARSHIMI HISTORIK.
Në njoftimin e tyre zyrtar pas protestës, Platforma “Liria Ka Emër”, nënvizoi se sot mesazhi ishte i qartë: “populli foli. Dhe në emër të popullit, ata janë – ÇLIRIMTARË”.
“Prishtina sot ishte e bllokuar, e stërmbushur dhe e bashkuar. Qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës, nga rajoni, diaspora dhe deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vërshuan sheshet e kryeqytetit për të dhënë një mesazh të qartë, dinjitoz dhe paqësor. Edhe përkundër kushteve të vështira atmosferike, qytetarët qëndruan me orë të tëra në shesh, duke dëshmuar se kjo kauzë është mbi çdo dallim dhe mbi çdo interes tjetër. Prania masive dhe vendosmëria e tyre dëshmuan se kjo nuk është çështje e një individi apo një grupi, por çështje e dinjitetit kombëtar dhe e së vërtetës historike”, shkruhej tutje në njoftimin e tyre.
Sot, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, u mbajt marshimi më i madh në historinë e Kosovës së lirë – “Drejtësi, jo politikë”, në mbrojtje dhe mbështetje të çlirimtarëve që po përballen me proces gjyqësor në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.





























