Emisioni Prive në Klan Kosova ka publikuar së fundmi një kronikë ku pretendohet se ish-banori i Big Brother VIP Kosova 4, Labinot Rexha, ka kërcënuar këngëtaren dhe opinionisten e këtij edicioni, Leonora Jakupi, pas daljes së tij nga shtëpia.
Sipas kronikës, pas një debati të fortë publik që dyshja kanë pasur ditët e fundit, artisti nga Rahoveci dyshohet se i ka shkruar drejtpërdrejt këngëtares menjëherë pasi u eliminua nga formati.
Raportohet se mesazhet kanë ardhur si reagim ndaj opinioneve kritike që ajo kishte dhënë për të gjatë spektaklit, ndërsa situata thuhet se ka eskaluar deri në tone kërcënuese personale.
Në materialin e transmetuar janë publikuar edhe disa mesazhe që pretendohet se janë dërguar nga Rexha si përgjigje ndaj një “story” në Instagram ku Jakupi paralajmëronte një koncert për 7 Mars, ku ai i shkruante: “Ishalla ke vizë pune”.
Po ashtu, në kronikë u tha se këngëtari dyshohet se i ka shkruar edhe një personi të njohur në Zvicra, i cili pretendohet se punon në institucione, duke e njoftuar për faktin se artistja nuk do të kishte vizë pune dhe duke ushtruar presion që kjo të raportohej tek autoritetet.
Rasti ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, ndërsa kujtohet se vite më parë disa këngëtarë shqiptarë janë përballur me ndalime hyrjeje në Zvicër për shkak të dokumentacionit të punës. Sipas raportimeve, Rexha në atë kohë nuk ishte prekur nga masa të tilla pasi posedonte shtetësi zvicerane.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar publik nga palët lidhur me përmbajtjen e kronikës, ndërsa mbetet e paqartë nëse çështja do të marrë rrjedhë ligjore apo do të mbetet në kuadër të përplasjes publike mes dy artistëve.





























